Haradinaj mburret me investimet në komunën e Aleancës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se investimet në infrastrukturën e qytetit të Gjakovës po rikthejnë pozicionin e saj ekonomik.

Haradinaj ka vizituar dy projekte, të cilat po zhvillohen njëkohësisht ne Gjakovë, rreth rrotullimin e daljes nga Gjakova për Prizren dhe ndërtimin e shtratit të lumit Krena.

Këtë vizitë, Haradinaj e ka kryer së bashku me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili vjen nga radhët e partisë së tij.

“Investimet në Gjakovë po ndryshojnë fuqishëm pozicionin ekonomik të saj!

Vlera e investimeve në Gjakovë gjatë kësaj qeverisjeje është shumë herë më e lartë se të gjitha ato që kanë ndodhur për dy dekada. Sot, bashkë me kryetarin Ardian Gjini pamë nga afër dinamiken e punimeve, që po zhvillohen në rreth rrotullimin e daljes nga Gjakova për Prizren, ndërtimin e shtratit të lumit Krena dhe në rrugën që çon nga qyteti i Gjakovës për Prishtinë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa, rreth projektit të Autostradës së Dukagjinit, Haradinaj po ashtu ka thënë se ajo do të ndikojë në pozitën ekonomike të këtij qyteti, duke shtuar se “Koncepti 100% shtet është koncept pune dhe zhvillimi, jo retorikë zgjedhore!”