Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Haradinaj: Marrëveshja nuk e zgjidh situatën në veri, sfida është rikthimi i i atyre që e lëshuan punën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Hradinaj ka thënë se me arritjen e marrëveshjes për targat nuk është zgjidhur situata në komunat në veri të Kosovës.
Ai sot gjatë seancës së Kuvendit ka thënë se sfidë mbetet rikthimi në institucione i zyrtarëve që janë dorëhequr në komunat në veri të vendit.
“Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun që te kemi viktima, qofshin këta zyrtarë policorë të Kosovës ose qytetarë serb të veriut. Dje me marrëveshjen nuk është zgjidh situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi në institucione i atyre që e kanë lëshuar vendin e punës apo plotësimi i të gjitha atyre vendeve vakante”-ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së, ka thënë se Qeveria, duhet të fillojnë me pikën dy të rezolutës të prezantuar nga AAK-ja, që kërkon dialog me serbët lokal.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dje marrëveshje lidhur me çështjen e targave.
Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.
Pas kësaj, në një mbledhje të Listës Serbe u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.
Pas dorëheqjes së kryetarëve, në katër komunat në veri do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme të caktuara me 18 dhjetor.
Ndërsa, deputetët serb në Kuvendin e Kosovës që dhanë dorëheqje, u zëvendësuan javën e kaluar me deputetë të rinj.