Haradinaj: Marrëveshja finale me Serbinë nuk mund të ndodhë pa praninë e ShBA-së në dialog

Në video-takimin e organizuar nga Instituti për të drejtat e njeriut nga Universiteti i Kolumbisë dhe Qendra për Siguri e Europës Juglindore, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se nuk do donte që shqetësimi ynë për dialogun të shihet si kundërshtim ndaj një administrate.

“Kam vetëm një shqetësim – që kundërshtimi ynë të mos duket si kundërshtim ndaj një administrate”, u shpreh ai.

Tutje Haradinaj foli edhe për periudhën sa ishte kryeministër.

Ai tha se ka kaluar në situata të vështira duke u detyruar të kundërshtojë dialogun për shkak të fjalëve që qarkullonin për një marrëveshje të shpejtë me ndryshim kufijsh, e cila, sipas tij, do të paraqiste rrezik dhe jostabilitet për rajonin.

“Kam qenë në situatë të vështirë gjatë viteve 2017 dhe 2018 pasi mu desh të kundërshtoja një dialog nga përfaqësuesja e BE-së në atë kohë, Federica Mogherini, dialog që nuk ishte transparent dhe që po krijionte frikë në rajonin tonë për shkak të fjalëve që po qarkullonin se tre liderë të rajonit, në këtë rast kryeministri Edi Rama, presidenti Thaçi dhe presidenti i Serbisë Vuçiq po gatuanin një marrëveshje, një zgjidhje të shpejtë që do përfshinte ndryshim të kufijve”, tha Haradinaj.

“Kjo jo që nuk ishte vetëm kërcënim për stabilitetin rajonal por ishte një tragjedi e re që do zgjaste shumë. Shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Mal të Zi, prandaj nëse e hapim këtë temë kufijsh, ky rajon do kthehet në zjarr”, theksoi ai.

Sipas Haradinajt, një seknar i tillë do ishte i favorshëm për ata që duan ta shohin këtë rajon në luftë kurse ShBA do ishin humbësi i madh sepse ka bërë investimin më të madh për të sjellë paqe në këtë rajon, kurse tragjedia do paguhej nga të gjithë ne.

Haradinaj kritikoi partnerët europianë, të cilët, sipas tij, nuk po arrijnë të bashkohen në një qëndrim sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë, “e cila nuk mund të ndodhë pa praninë e Shteteve të Bashkuara në dialog”.

“Kam një kritikë për partnerët europianë, të cilët gjithmonë janë zëlartë për ta kritikuar ShBA-në, por edhe ata janë për t’u kritikuar, me para të tyre po paguhet përfaqësusesi i lartë, në të kaluarën Mogherini dhe tani Borell. Ata nuk janë unikë sepse i dëgjon duke thënë Borell diçka dhe Lajçak diçka tjetër, pastaj Berlini storje tjetër. Bashkimi Europian nuk është në gjenjde të bashkohet në një qëndrim. Prandaj është kritike që ShBA të qëndrojë në dialog, sepse marrëveshja nuk do ndodhë pa ta dhe zgjidhja është vetëm njohja e dyanshme mes dy vendeve”, përfundoi Haradinaj.