Haradinaj: Linja ajrore Prishtinë-Beograd s’ka të bëjë me taksën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd nuk ka të bëjë asgjë me taksën 100 për qind të vendosur në nëntor të vitit 2018 për produktet serbe.

Haradinaj ka thënë se linja ajrore gjermane Lufthansa nuk do të paguajë taksë shtesë për shërbime në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

“Në letrën e qëllimit që tregon pala e Kosovës bashkë me NATO-n nuk vendosim taksa shtesë përpos ato që i ka aeroporti që i ka gjithë, ato ia japim barabartë Lufthansës në fluturimin e vet nga Prishtina në Beograd ose anasjellas pa ndonjë diskriminim, kjo nuk ka të bëjë me taksën 100%. Kjo nuk ndërlidhet dhe nuk është në kontekst me taksën 100%”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Para disa ditësh është nënshkruar një marrëveshje që Kosova dhe Serbia të kenë një linjë ajrore, që u cilësua si iniciativë e Amerikës dhe është mbikëqyrur nga i dërguari special i Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Marrëveshja, e bërë midis linjës ajrore gjermane Lufthansa, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe një delegacioni nga Ministria e Ekonomisë së Serbisë, u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin.

Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit 2018 pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor 2018, kjo taksë u rrit në 100 për qind dhe që nga atëherë bisedimet Kosovë-Serbi janë ndërprerë.