Ramush Haradinaj - kryeministër i Kosovës

Haradinaj letër kryeministrit çek, tregon arsyen e mospjesëmarrjes në samit

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur që i ka dërguar letër falënderimi kryeministrit të Republikës së Çekisë, Andrej Babis, për ftesën për të marrë pjesë në Samit V4 dhe WB6.

Përmes një postimi në facebook, Haradinaj ka thënë që për shkak të angazhimeve në zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të marrë pjesë në këtë samit.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 dhe WB6, nën kryesimin e Republikës së Çekisë”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka thënë se e çmon shumë kontributin që Çekia e ka dhënë për Kosovën.

“Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeminstrit të dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri në largim, nuk ka përmendur deklaratat e Presidenti i Çekisë, Milos Zeman për tërheqje të njohjes për Kosovën, por ka thënë që dialogu me Serbinë do të përfundoj me njohje reciproke.

“Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribuues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues” ka theksuar Haradinaj.

Dje presidenti i Çekisë, Milos Zeman kishte thënë në Beograd se brenda një muaji do ta rishikojnë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Pavarësisë së Kosovës, në një takim me autoritetet kushtetuese në Pragë.