Haradinaj: Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë nuk i takon Kosovës dhe do të trajtohet si armik i Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë nuk i takon Kosovës por është armik i saj.

Këtë deklaratë ai e dha pasi që ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot (13.08.2024) se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet! Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht!” – ka shtuar ai.

Përderisa Qeveria e Kosovës po synon hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Europian kanë kundërshtuar këtë përmes disa deklaratave publike.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën” – tha sot ambasadori amerikan për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”- ka shtuar ai.

Ndërsa, Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ideja e përfshirjes së kësaj teme në dialog është kundërshtuar më parë edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar sot raportin preliminar që thotë se Ura e Ibrit është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.