Haradinaj-Kurtit: Rishikone pozitën, është fisnike me ditë me u tërheq

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që të tërhiqet nga posti i kryeministrit.

“Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq” – ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt qeverisja e Kurtit e ka rrezikuar Kosovën.

“Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit” – ka thënë ai.

Sipas Haradinajt dëmi i qeverisjes Kurti për Kosovën shtrihet në disa rrafshe.

“Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin: Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë, Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar” – ka thënë ai në komunikatën për media të AAK-së.

Kreu i AAK-së po ashtu ka kritikuar Kurtin pë moszhvillim të vendit në aspektin ekonomik.

“Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit, bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit; Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore, shtresën e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale” – ka thënë ai.

Përveç kësaj ai ka përmendur edhe Ligjin e Pagave, duke thënë se në mungesë të tij është e vështirë mbijetesa.

“Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero” – citohet të ketë thënë Haradinaj sipas komunikatës së partisë së tij.

Kreu i AAK-së nuk ka kursyer kritikat as për menaxhimin e situatës me energji elektrike.

“Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katstrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër” – ka theksuar Haradinaj.

E krejt në fund, Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe dialogun Kosovë-Serbi, duke e kritikuar për mënyrën se si po e udhëheq këtë proces.

“Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më” – ka thënë ai.

Qeveria Kurti 2 është votuar më 22 mars të vitit 2021.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.