Foto: KALLXO.com

Haradinaj - Kurtit për taksën: Do mbetesh duarthatë

Ish- Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa duhet të hiqet nëse Serbia njeh Kosovën.

Këto deklarata erdhën pas njoftimit të Kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti se është gati ta heq taksën për 100 përqind dhe vendosjen e reciprocitetit.

“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Haradinaj në të njëjtin rrjet social ka shkruar se taksa duhet të hiqet me njohje.

“Presidenti Trump në letrat e tij dërguar Kosovës dhe Serbisë kërkoi shprehimisht njohjen e Kosovës nga Serbia. Edhe ne po kërkojmë të njëjtën. Taksa të hiqet me njohje, dhe zgjidhet problemi”, ka shkruar Haradinaj.

Ai madje ka shkruar edhe “mos e bëj dorëzimin përpara njohjes nga Serbia, sepse do mbetesh duarthatë!”.

Ambasadorët e vendeve të Quintit gjatë ditës kur ishte formuar qeveria e re kishin kërkuar nga po e njëjta qeveri që të hiqet taksa.

“Kadri, shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që Kosova ta heq taksën 100%. Ajo dëmton Kosovën dhe largon bizneset nga krijimi i vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, kishte thënë Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Kadri Veseli, i është përgjigjur Ambasadorit Amerikan në Berlin, Richard Grenell në lidhje me taksën 100% ndaj mallrave serbe.

Shefi i PDK-së e ka quajtur dje kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gënjeshtar.

“Zotëri Ambasador, Albini është gënjeshtar. Propozimi im për taksën është shumë i qartë qysh prej janarit 2019. Albini nuk e ka mbështetur dhe ka bërë fushatë kundër tij. Unë jam i shqetësuar me nxitimin e qeverisë së re për t’u marrë me këtë çështje pa një plan konkret, i cili e vendos interesin më të mirë të Kosovës në rend të parë”, ka shkruar Kadri Veseli në llogarinë e tij në Twitter.

Është bërë një vit e gati tre muaj që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si shenjë pakënaqësie ndaj fushatës që Serbia e kishe organizuar për mospranimin e Kosovës në INTERPOL.

Mirëpo, ky vendim i qeverisë Haradinaj u shoqërua me një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për heqjen e kësaj tarife.