Haradinaj – Kurtit: Ndale mashtrimin me dialog

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar edhe sot kryeministrin Albin Kurti, duke i parashtruar edhe disa pyetje për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai, përmes një postimi në Facebook, pos tjerash, i ka bërë thirrje Kurtit, që “ta ndalë mashtrimin me dialog”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Kryeministër, ndale mashtrimin me dialog!

Tri pyetje kërkojnë përgjigjie nga ju e që kanë të bëjnë me Asociacionin.

E para: a jeni kundër Asociacionit, apo jeni kundër Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës?

Pyetja e dytë: A keni propozuar Asociacion gjeografik, çka nënkupton ai dhe a është në bazë të Kushtetutës së Kosovës?

Dhe pyetja e tretë: nëse keni propozuar Asociacion gjeografik, atëherë na trego pse ky Asociacion është më i mirë sesa Asociacioni në bazë të Kushtetutës së Kosovës të cilin e përkrah edhe Amerika edhe BE-ja?

Jepi përgjigjjet e sakta, ndale mashtrimin!”, ka shkruar Haradinaj

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Bruksel të marten ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave serbe.

Kurti në një deklaratë për media tha se Serbia e ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur në shekullin e kaluar nga regjimi i Millosheviqit.