Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj - Kurtit: Merr përgjegjësi, ose shko në shpi

Deputeti dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një deklaratë drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti tha se ose duhet të shkoj vetë në shtëpi ose ta dërgoj në shtëpi ekipin e ekonomisë që e ka në kabinetin e tij.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri gjatë debatit parlamentar për lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Shumë leksione po vazhdon me na dhanë po na edukon gati na është kthyer në profesor. E di që i ka deputetët e rijnë dhe e ka për këta dhe e ka një elektorat që e ka mashtruar gjatë. Mirëpo jemi ne të tjerët që nuk i obligohemi leksioneve të tij dhe kuptohet që kemi bindjen dhe mendimin tonë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se Kurti ka ardhur në qeveri për ulje të çmimit të energjisë.

“Ky zotëri atë ditë që s’ka mujt me zbrit çmimin e energjisë është dashtë me thënë më falni. Tash ky është dashtë me i qu në shpi krejt ekipën ekonomike që i ka këtu, ja te merr përgjegjësinë vet le të shkon në shpi Albin Kurti njërën duhet me bo. Nuk i ka çu m`u mërdhi me kohë, nuk i ka çu me punu dhe vjen na jep leksione”, tha Haradinaj.

Haradinaj kaloi edhe në ofendime për deputetët e LVV-së.

“I ki do deputetë që veç edhe një def me jav jep me i ra defit këtu se për tjetër s’kanë mbet. Mos lejo me shku kështu se në qorrsokak je”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca kërkoi nga Haradinaj që të ketë “respekt për kolegët”.