Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Kurti më ftoi, unë shkova, ai nuk ishte aty

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte i vetmi lider opozitar që nuk u pa në takimin e sotëm me kryeministrin, Albin Kurti, tha se ai i ishte përgjigjur ftesës së Kurtit.

Por, Haradinaj tha se ka qenë në ora 9:00 në zyrën e Kurtit, por sipas tij, kryeministri nuk ka qenë aty.

“I jam përgjigjur kërkesës për takim me Kryeministrin në orën 9 dhe unë në këtë orë isha në zyrën e tij, por ai nuk ishte aty!  Takimi do të duhej të ishte informativ për situatën e sigurisë në veri”, tha Haradinaj.

Tutje ai shtoi se qëndrimi i tij për situatën në veri është i qartë dhe ai nuk ndryshon kurrë.

“Pavarësisht nëse vjen kryeministri në takim apo jo!  Kosova duhet të mbrohet edhe me jetë.  Gjithmonë me mbrojtësit e Kosovës! Unë kam qenë dhe jam në Kosovë dhe për Kosovën në çdo kohë dhe situatë. Koordinimi me aleatët tanë duhet të jetë i përhershëm”, ka shkruar në fund ish-kryeministri i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku., por në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Që prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë.