Haradinaj: Kurti ka bërë marrëveshje me Vuçiqin për tarifën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Hardinaj, tha se planet e kryeministrit, Albin Kurti për largimin e tarifës ndaj Serbisë do ta ndihmojnë Serbinë.

Sipas Hardinajt, Kurti dhe Vuçiq kanë bërë një marrëveshje për largimin e tarifës 100 përqind.

“Heqja e taksës pa kushte për Kosovën shoqërohet me lutje dhe pritje që Serbia të jetë konsultive. Asnjë e mirë nuk i vjen Kosovës në këtë rast. Heqja e taksës para zgjedhjeve në Serbi është vetëm një konstruktivitet që Vuçiqi t’i fitojë ato zgjedhje dhe po shihet që ka marrëveshje mes dyve dhe po shihet që janë votat e Listës Serbe për qeverinë e tij”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Ai po ashtu ka shtuar se është gabim adresimi i Kurtit ndaj BE-së që t’i largohen vizat Kosovës.

“Është gabim që i’u ka drejtuar BE për vizat. T’i drejtohet në atë mënyrë qeverive të BE-së, më ato mundesh me fol por nuk guxon m’i kushtëzu ato publikisht sepse ndikon në liberalizimin”, ka thënë ish-kryeministri.

“E gjithë kjo logjikë e ka një problem, Grenell nuk e falenderon i thotë po gabon, Zoti Kurti se ka asnjë mik ngatë vetes, nuk e lajmëron në vendim të qeverisë por në konferencë. Ai i merr peng 6 sipërmarrës dhe e dha njoftimin, janë të dhimbshme pamjet e tyre”, shtoi ai.

Haradinaj u zotua se do të mobilizohen që ta ndalojnë largimin e tarifës 100 përqind ndaj Serbisë, tarifë kjo e vendosur gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga 15 marsi do të hiqen tarifat për lëndën e parë ndaj këtyre vendeve me kusht që të ketë hapa konkret nga Serbia për ndaljen e fushatës së çnjohjes.

Ai shpjegoi se nëse kushti plotësohet Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100 përqind plotësisht më 1 prill 2020.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti nuk është dakorduar me partnerët e koalicionit para se të vendoste kushte për tarifën ndaj Serbisë.

Kjo ka qenë edhe arsyja pse janë takuar më herët partnerët e koalicionit.

Po ashtu, i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë. Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinja në nëntor të vitit 2018 ka vendosur një tarifë 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Faktori ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë vendim të qeverisë së kaluar.

Ky vendim ka shkaktuar edhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë.