Haradinaj: Kurti frikësohet të tregojë çka ka të vërtetë në akuzat e presidentes

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti pas vizitës së këtij të fundit në veri të Kosovës.

Hardinaj ka thënë se “nuk është trimëri që me një divizion të Policisë, Kryeministri i vendit të shkojë në një pjesë të territorit të tij për një hamburger dhe të mashtrojë çdo qytetar të Kosovës se gjithçka në Veri është rregulluar”.

Tutje Haradinaj ka thënë se Kurti po frikësohet të flasë para qytetarëve për akuzat e presidentes Vjosa Osmani, për Procesin e Berlinit, e moshapjen e urës.

“Ai frikësohet të dalë para qytetarëve dhe të tregoj çka ka të vërtetë në akuzat e Presidentes. Ai frikësohet të dalë para gazetarëve dhe të tregojë çka po ndodhë me Procesin e Berlinit dhe pse po e shtyen BE-në drejt përjashtimit të Kosovës. Ai frikësohet të dalë dhe të tregojë të vërtetën për mos-hapjen e urës dhe ende mban qytetarët në mashtrime se së shpejti do të hapet ajo. Albini bëhet pak trim dhe mashtron se ka paguar lehonat përderisa Komunat me buxhete te varfër i paguajnë edhe më shumë edhe më dinjitetshëm”- ka shkruar Haradinaj në Facebook më 11.09.2024.

Kreu i AAK-së ka thënë se Kurti u ik dhe u frikësohet gazetarëve dhe ndihet trim kur i shtyn kolegët e tij të dalin dhe të flasin e mos të tregojnë asgjë për këto tema.

“Ai sot as për Byron për Konfiskim të Pasurisë nuk foli sepse ai e din që bashkëpunëtorët e vet do të jenë klientët e parë të saj e për vete është i sigurte se shpëton. Shpëton sepse mendon se askush s’do ta ndjek në Norvegji”- ka thënë Haradinaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime” ia ka hedhur “fajin” Qeverisë për mosdiskutim e moskoordinim për çështje të caktuara.

Ajo tha se nuk e kanë diskutuar me Kurtin ofertën e Gjermanisë që të gjendet një mundësi që Kosova të largojë masat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.

Dështimi për anëtarësim në Këshill të Europës, kush prishi punë sipas presidentes, Kurti apo Gërvalla?

Ndërsa sot, më 11.09.2024, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u pyetën nga gazetarja e KALLXO.com, Arjana Berisha, në konferencë për media, për çështjen e rrezikut që Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, por ministrat nuk pranuan të përgjigjen.