Albin Kurti & Ramush Haradinaj Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Kurti është mashtrues

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është një mashtrues.

Sipas tij, Kurti nuk do ta përmirësojë gjendjen në arsim, shëndetësi apo krijim të vendeve të punës.

“Unë kam deklaruar për Kurtin që është mashtrues. Ekziston një Albin Kurti, atë që ne e njohim.  Por koncepti që ai po e përfaqëson në politikë është mashtrim. Ai ka shkuar në formën e konfrontimit të asaj dhe dëmtimit që është krijuar. Ai ka bërë politikë që të mbetet në kauzë. Ai do të vazhdojë të mbetet kauzë vetë, s’ka me kriju qeverinë dhe s’do mund ta përmirësojë gjendjen ashtu siç thirret”, ka thënë Haradinaj në kuvendin e jashtëzakonshëm të punës të AAK-së.

Ai ka thënë se më së miri për Kosovën është dështimi i Kurtit dhe mosformimi i Qeverisë.

LVV dhe LDK ka ditë që nuk po mund të arrijnë një koalicion për bashkëqeverisje për shkak të postit të presidentit.

Madje, të premten Kurti i kishte refuzuar dy kërkesa për takim me Thaçin në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Por, sot, Albin Kurti tha se i takon LDK-së ta përcaktojë datën e formimit të Qeverisë, duke premtuar intensifikim të kontakteve me këtë parti.

Kurti: Datën e formimit të Qeverisë nuk ma përcakton presidenti, por LDK-ja

Edhe seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës i gjeti këto parti pa ndonjë marrëveshje.

Në këtë seancë megjithatë u zgjodhën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga LVV dhe pesë nënkryetarët: Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK, Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.