Haradinaj: Kurti dezertoi prej temave kryesore të vendit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se partia e tij do ta mbështes mocionin e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Këtë e ka bërë të ditur Haradinaj pas takimit që e ka mbajtur me të parin e LDK-së, Isa Mustafa, në një nga hotelet e Prishtinës.

Haradinaj para mediave ka thënë se Kosova nuk ka pasur qeveri më konfliktuoze se ajo LVV-LDK.

Haradinaj madje e ka quajtur dezertim të kryeministrit Kurti nga temat kryesore të Kosovës.

“Kosova nuk ka pasur ndonjëherë një qeveri më konfliktuoze në vetvete, me të tjerët, me temat, edhe e mori një epilog të cilin e mori, por e ka marrë në një kohë shumë të keqe pra të vështirë. Ky është një lloj dezertimi i kryeministrit Kurti prej temave kryesore të vendit”, ka theksuar Haradinaj.

Dje, kryeministri Kurti e ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Pas shkarkimit të Veliut, LDK mbajti mbledhjen e Kryesisë, ku u propozua mocion për rrëzimin e Qeverisë. Këtë mocion nuk e kanë mbështetur, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Veliu u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti zyrtarisht për deklaratat e bëra nga ai në lidhje me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, siç po kërkon presidenti Hashim Thaçi.

LDK inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti