Foto: ZKM

Haradinaj kujton viktimat e Holokaustit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë bërë sot homazhe te pllaka përkujtimore për Hebrenjtë, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

“Në nderim të njerëzve që kanë humbur jetë, të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, në përkujtim të tragjedisë më të madhe të njerëzimit, në emër të Qeverisë, të popullit të Kosovës, vendosa lule dhe bëmë nderim te memoriali kushtuar Sinagogës së fundit që ka ekzistuar këtu në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se kjo po bëhet në respekt edhe të trashëgimisë e kulturës, por edhe tragjedisë njerëzore që ka ndodhur.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se duke i nderuar gjithë ata njerëz të pafajshëm, duke përkujtuar gjithë atë tragjedi, ne sigurohemi që tragjeditë e tilla të mos përsëriten.

“Për fat të keq edhe populli i Kosovës e ka përjetuar një tragjedi të madhe, të përmasave të jashtëzakonshme dhe ne bashkëndjejmë me të gjithë ata që tragjeditë kanë kaluar nëpër jetërat e tyre”, përfundoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Data 27 janar shënon ditën ndërkombëtare të përkujtimit të tragjedisë së Holokaustit që zuri vend gjatë luftës së dytë botërore. Kjo ditë përkujton gjenocidin që rezultoi me vdekjen e 6 milionë hebrenjve dhe 11 milionë të tjerëve nga nazistët.

Më 27 janar 1945, Auschwitz-Brikenau, kampi më i madh vdekjeprurës i koncentrimit ishte çliruar nga ushtria ruse e njohur si “Ushtria e kuqe”.

Kurse në vitin 2005 në Kombet e Bashkuara u miratua një rezolutë e cila shpalli datën 27 Janar si ditën ndërkombëtare të përkujtimit për viktimat e kësaj tragjedie.

Kurse këtë vit bota përkujton 75 vjetorin e çlirimit të kampit më të madh nazist.