Haradinaj kujton martirët e Gjakovës, thotë se ata u bënë simbol i sakrificës për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka përkujtuar martirët e Gjakovës në 22-vjetorin e vrasjes së tyre.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se në këtë datë kujton familjen që ishte shuar duke mos lënë asnjë pasardhës.

“Kujtojmë ata që u sakrifikuan në shtëpinë e familjes Vejsa: Fetije Vejsa, Shahindere Hoxha, Flaka Hoxha (15 vjeçare), Tringa Hoxha Vejsa me fëmijët e saj Rita (2 vjeçare), Arlindi (5 vjeçar), Marigona (9 vjeçare) dhe Dorina (11 vjeçare); Valbona Vejsa me fëmijët, Doruntinën (3 vjeçare), Egzonin (5 vjeçar) dhe Rinën (7 vjeçare); Valbona Byci-Caka me tri vajzat e saj Dionën (2 vjeçare), Delvinën (7 vjeçare) dhe Dalinën (14 vjeçare); Hysen Gashi, Mandushe Nuqi e Shirine Nuqi”, ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj kujtoi edhe ata që u sakrifikuan në rajone të tjera të Gjakovës.

“Rexhë Gucin, Xajë Kurtin, Shukri Hoxhajn, Mazllom Kavajën, Sulejman Gërçarin së bashku me tre djemtë e tij (Skënderin, Haxhiun dhe Albertin), dy vëllezërit Dylatahu (Skënderin e Naserin), Melaim Qarkaxhiun, Blerim Bërdoniqin, Bujar Tetrica, vëllezërit Hasan e Adem Haxhia, djemtë e Ademit, Berati e Gëzimi dhe gruaja e Hasanit Myzafere Haxhia, Afërdita Deda-Demjaha me të birin Argjentin”, shtoi Haradinaj më tej.

Haradinaj tha se Gjakova atë ditë u kaplua nga zjarri dhe ai zjarr u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës.

“Liri që sot duhet ta ruajmë e çmojmë, sepse erdhi nga gjaku i të rënëve. Lavdi e përjetshme”, tha Haradinaj.