Haradinaj kujton Ahmet Kaçikun, komandantin që ra duke mbrojtur trupat e masakrës së Reçakut

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Ahmet Kaçikun, komandantin e UÇK-së, i cili ra heroikisht 21 vjet më parë duke luftuar për të mbrojtur trupat e viktimave të masakrës së Reçakut, e kryer katër ditë më herët nga forcat serbe.

Më 15 janar 1999, Ahmet Kaçiku kishte mbushur 35 vjet.

Atë ditë ai kishte parë me sytë e tij mizoritë e forcave serbe, të cilët kishin masakruar 45 civilë shqiptarë në Reçak, masakër që cilësohet si kyçe për të nxitur botën perëndimore për të bombarduar Serbinë deri në tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Kosova.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

“Ahmet Kaçiku në ditën e masakrës së Reçakut kishte mbushur 35 vjet.

Ishte komandant brigade dhe me sytë e tij, pa motrat e vëllezërit e tij të masakruar në mënyrën më çnjerëzore, por ai pa edhe heroizmin e bashkëluftetarëve të tij, tani dëshmorë: Ali Beqa, Ismail Luma, Mehmet Mustafa Shaqir Berisha, Kadri Syla, Enver Rashiti, Skënder Çarri, Nazim Kokallari, Sadik Mujota, Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani e Ragip Bajrami.

Katër ditë më pas, ai do bashkohet me ta, në karvanin e përjetësisë, duke mbrojtur trupat e tyre nga armiku, i cili donte t’i vrasë për herë të dytë.

Ahmeti u kthye nga mërgimi në përgjigjie të Atdheut. Lum Atdheu që ka burra si ai.

Lavdi!”.