Haradinaj kthen në punë zyrtarin të cilin e shkarkoi ministri Matoshi - DOKUMENT

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kthyer në punë kryeshefin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morinën.

Haradinaj ka marrë këtë vendim në mbledhjen e qeverisë të mbajtur ditën e martë.

Në vendim thuhet që hedhet poshtë vendimi për shkarkimin e tij si dhe obligohet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të zbatojë procedurat e Ligjit për zyrtarë Publik për inicimin e procedurës disiplinore.

Morina ishte shkarkuar nga pozita e kryeshefit me datën 1 tetor me vendim të ministrit Fatmir Matoshi.

Morina kishte akuzuar Matoshin për ndërhyrje në konkurse të jashtëligjshme dhe duke iu dhënë “projekte kompanive të miqve të tyre” si dhe dhënie të lejeve jashtëligjshme dhe presion të stafit.

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në një bisedë për KALLXO.com kishte thënë se shkarkimi i tij është bërë për disa arsye e mes tyre për dështim në zbatim të projekteve të Agjencisë që i përkiste.

Matoshi i mohoi pretendimet për ndërhyrje në konkurse, për të cilat mes tjerash e akuzoi Morina.

Gjithashtu, ndër arsyet e tjera që numëron Matoshi është edhe fakti që nuk u informua për arrestimin së pesë zyrtarëve në parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna.