Haradinaj kthehet nga Haga me mesazhe kundër ndarjes së Kosovës

Një pjesë të madhe të postimit të tij pas kthimit nga Haga kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ia ka kushtuar zotimit të tij se nuk do të lejoj ndarjen e Kosovës.

Në nisje të postimit Haradinaj ka shkruar se pafajësinë e tij nuk mund ta vë në pikëpyetje askush ndërsa ka dhnë sërisht porosinë për kufirin.

“Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë” ka shkruar Haradinaj.

Në mesazh ai u është përgjigjur edhe zërave se pas dorëheqjes nuk mund ta ushtroj postin e kryeministrit.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës” ka shkruar Haradinaj. Ai ka thënë se çdo kush që mendon që posti nuk duhet mbajtur duhet ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën e kaluar pas ftesës nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale.

Ai është ftuar për intervistë të mërkurën ndërsa gjatë intervistimit ka thënë se është mbrojtur në heshtje.