Haradinaj kritikon “spektaklin dashakeq” me dosjet e Gjykatës Speciale

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ngjarjeve me disa dosje, të cilat janë dorëzuar nga persona të panjohur në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në Prishtinë.

Këto dosje është thënë se janë dosje të Gjykatës Speciale dhe se ato përmbajnë dëshmi e emra të të dyshuarve e të dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

Haradinaj ka thënë se me shqetësim po e ndjek këtë “spektakël dashakeq”, i cili, sipas tij, po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë.

Këto zhvillime, sipas tij, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj ka thënë se kushdo që has në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjehëherë t’ua dorëzojë institucioneve përgjegjëse, “e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë”.

“Kosova si viktimë përballë agresorit, UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Vetë Haradinaj është ftuar për intervistë në Gjykatën Speciale.

Ftesa ishte përdorur si arsyetim nga Haradinaj për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.