Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj kritikon Qeverinë për refuzimin e projektit të gazsjellësit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën plenare të Kuvendit ka diskutuar për veprimet e Qeverisë për projektin e gazit me MCC.

Haradinaj ka kritikuar Qeverinë për refuzimin e projektit të gazsjellësit dhe ka thënë se mbyllja e derës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kushte normale do të nënkuptonte se Qeveria ka alternativë shumë më të mirë sesa ky opsion.

“Qeveria jonë po rrezikon të mos marrë përfitime nga një projekt i tillë. Nuk e di se si do të veproni në të ardhmen kryeministër, për të kërkuar mbështetje nga aleatët për energjinë, kur e keni hedhur poshtë paarsyeshëm këtë projekt”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, Haradinaj i ka thënë kryeministrit Kurti se mendimi që vetëm “ata i dinë proceset”, është duke shkaktuar dëme të pakthyeshme.

“Kosova nuk është zero, për Kosovën të tillë që e kemi, të gjithë kemi kontribu, andaj si
Qeveri ju e keni marrë besimin që t’i ecni projektet përpara dhe t’i ndihmoni Kosovës të zhvillohet si dhe të ndërmerrni investime që hapin punësim e dyer të zhvillimit. Me sa e shoh unë, problemi është që ju nuk besoni as në vetëm, e pastaj as në aleatët”, deklaroi Haradinaj.

Pas disa muaj diskutime me përfaqësuesit e MCC-së, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 30 shtator kishte njoftuar se Qeveria e Kosovës nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Ajo ka thënë se kanë nevojë për më shumë informata, “për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Kurti: Strategjia e energjisë do të ketë objektiva ambicioze drejtë energjisë së pastër dhe dekarbonizimit