Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Kosova po kalon momente të vështira për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së kryeministrit dhe pavendosmërisë së presidentes.

“Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot”- ka thënë ai në Facebook.

Sipas tij, hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht SHBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.

Haradinaj ka potencuar se kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur.

“Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja finale me Serbinë. Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Reagimi i kreut të AAK-së vjen pas thellimit të mosmarrëveshjes mes faktorit ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me gjetjen e një zgjedhje pas zhvillimeve në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.