Haradinaj: Kosova e gatshme t’i ndihmojë Turqisë edhe me njësitë nga FSK

Tërmeti shkatërrimtar i cili ndodhi mbrëmjen e kaluar në Turqi, shkaktoi viktima të lënduar e dëmtime të mëdha.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme t’i dalë në ndihmë shtetit turk edhe me njësitë opercionale nga Forcat e Sigurisë.

Haradinaj me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se Kosova qëndron pranë shtetit mik si Turqia.

“Me shqetësim mora lajmin për tërmetin që goditi qytetin Elazig të Turqisë. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta ndaj shtetit turk, qytetarëve dhe familjeve të viktimave si dhe u dëshirojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve nga kjo ngjarje tragjike. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët atje. Institucionet e Kosovës janë të gatshme për ndihmat e nevojshme humanitare përfshirë edhe njësitë operacionale nga FSK-ja. Në këtë tragjedi Kosova qëndron pranë shtetit mik, Turqisë!”, ka shkruar Haradinaj.

Një termet me magnitudë 6.8 shkallë ka goditur mbrëmjen e kaluar Turqinë ku deri më tani janë shënuar zyrtarisht 20 viktima ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë kërkuar tretman mjekësor.

Dëmet materiale sipas raportimeve të mediave turke janë të mëdha e Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar nga qytetarët që t’i ndjekin udhëzimet nga qeveria për të evituar sa më shumë rritjen e viktimave.