Arkiv

Haradinaj: Kompensimet për mësimdhënësit e viteve ’90-ta dalin sot

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se nga sot mësimdhënësit e viteve 1990-1999, do të marrin kompensimin për punën e bërë gjatë këtyre viteve.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, tha se Qeveria e tij është angazhuar fort që ligji që ua ka mundësuar atyre,këtë pagesë shtesë, të miratohet në Kuvend.

“Qeveria me të marrë detyrën është angazhuar fort, megjithë pengesat, që ky ligj të miratohet, si satisfaksion moral e material për heronjtë e asaj epoke, që e mbajtën të gjallë shpresën dhe shkollën shqipe duke i dhënë krah lirisë së Atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se kjo gjë nuk ka qenë e lehtë.

“Ndonëse nuk qe e lehtë, ia dolëm dhe sot ndihem ballëhapur para mësuesve dhe arsimtarëve të vendit. Nuk mund të kishte urim më të bukur për festat e fundvitit se kjo! Faleminderit përjetësisht”, ka shtuar kryeministri në detyrë.

Ligji për statusin e punëtorëve të mësimdhënësve të viteve 90-ta ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës me 28 shkurt të këtij viti.

Ky ligj kishte sjellur edhe reagime nga ana e ndërkombëtarëve. BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën deklaruar se ky ligj ka implikime buxhetore duke kërkuar mos miratimin e tij.

Në fillim përfituesit ishin ndarë në dy kategori: 5 dhe 10 vite, por pas miratimit të leximit të parë në Kuvend, komisioni për Arsim kishte vendosur që ta ndajë në 9 kategori.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta ishte zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Punëtorët, të cilët e kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë asaj periudhe, pritet t’i marrin benificionet pas daljes në pension.

Miratohet Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të 90-ta