Haradinaj komenton marrëveshjen e Uashingtonit, kërkon njohje nga Vatikani

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike mes Kosovës e Serbisë në Washington është hap i madh.

Haradinaj këto deklarata i ka bërë në një postim në rrjetin social Facebook.

“Kosova hodhi një hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington. Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje ai ka thënë se pritjet janë që BE të tregoj përkushtim për të lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga vendet e tjera si dhe të përfundoj liberalizimi i vizave për kosovarët.

“Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian të tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran. Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim”, ka shkruar Haradinaj tutje.

Në ditën kur u nënshkrua marrëveshja ekonomike mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësim të Shtëpisë së Bardhë, Haradinaj kishte reaguar duke i thënë Hotit që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, në të cilën përmendet Liqeni i Ujmanit.

Haradinaj kishte thënë se që prej 3 shtatorit është në dijeni se çështja e Ujmanit është njëra nga pikat e marrëveshjes.

“Kam komunikuar me të gjitha palët relevante, kam kërkuar që të hiqet si pikë, përndryshe nuk do të jemi pjesë e saj”, tha Haradinaj.

Pak para marrëveshjes, Haradinaj kishte paralajmëruar edhe tërheqjen nga koalicioni qeverisës në qeverinë e Avdullah Hotit.

“AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Arsye për këtë, ai ka përmendur mospajtimet në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila pritet të nënshkruhet sot e për të cilën ai ka thënë se nuk pranon që në liqenin e Ujmanit Serbia të jetë palë.

Pas reagimit të parë kur kishte shkruar edhe për tërheqjen nga qeveria, ai kishte shkruar përsëri në Facebook.

Sipas tij, liqeni i Ujmanit është i Kosovës dhe për të pranojnë bashkëpunim vetëm me ShBA-të.

“Unë nuk do të pranoj që Kosova të nënshkruaj marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës. Kosova duhet të marrë obligime dhe të drejta vetëm me ShBA, ku vetëm ShBA-të janë garantuese të sovranitetit dhe zhvillimit tonë. Ujmani është i yni dhe pranojmë bashkëpunim vetëm me ShBA-të për zhvillimin e energjisë dhe ujrave”, ka shkruar Haradinaj.