Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj: Këtë 28 Nëntor jemi të bashkuar për t'iu bërë ballë pasojave të tërmetit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ua ka uruar festën e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Haradinaj ka thënë se në këtë festë jemi të bashkuar për t’iu bërë ballë pasojave të tërmetit që e goditi Shqipërinë.

“Historia jonë na dëshmon se ishim shpeshherë të sfiduar përgjatë rrugëtimit tonë dhe edhe në këtë 28 Nëntor kur na bashkon festa dhe na bashkojnë vlerat, jemi të bashkuar për t’iu bërë ballë pasojave të tërmetit, që goditi këto ditë Shqipërinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej ai ka thënë se dita e 28 Nëntorit lidhë ngjarjet më madhore të historisë së shqiptarëve, që nga Skënderbeu e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së.

“Mirënjohje për prijësit themeltarë të shtetit shqiptar që lartësuan vlerat dhe idealet kombëtare dhe përkulje para veprës së heronjve e martirëve, të të gjithë brezave, që luftuan për të drejtën tonë”, është shprehur Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka uruar që 28 Nëntori të shërbejë si referencë e krenarisë kombëtare që udhëzon për përballimin e sfidave dhe për të punuar bashkërisht dhe me sinqeritet për kombin tonë dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve.

Më 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, ku mbetën të vdekur 40 persona.