Kufiri Kosovë- Maqedoni e Veriut

Haradinaj kërkon nga Kurti të heq rregullin e 3 dozave të vaksinës për të hyrë në Kosovë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur vendim arbitrar e të dëmshëm ndalimin në kufi të qytetarëve që nuk i kanë tri doza të vaksinës.

Haradinaj përmes një postimi ka thënë së këtë masë nuk e ka aplikuar asnjë nga shtetet fqinje.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të heq këtë bllokadë.

“Ky është gabim i rëndë i qeverisë, që nuk mund të arsyetohet me asgjë. Prandaj hiqe bllokadën Kryeministër”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas masave të reja të Qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 22 janari, çdo person, i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Qytetarët e Kukësit sot janë duke protestuar në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Morinë.

Ata po kërkojnë heqjen e masës për hyrje në Kosovë me tri dozat e vaksinës kundër Covid-19.