Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe rikthimin e vendimit për projektin e gazit

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Qeveria Kurti ka marr dy vendime të dëmshme e të rrezikshme për Kosovën, për çka edhe ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

Sipas tij, njëra njihet si marrëveshja për targat dhe tjetri është refuzimi i projektit të gazit.

“Duke refuzuar projektin e gazit, qeveria Kurti përveç që ju ka thënë jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju ka thënë jo edhe partnerëve të tjerë siç është BERZhI të cilët aktualisht janë tu punu në mastër planin e gazit në Kosovë”, tha ai.

Haradinaj tha se Kurti po ju thotë jo 200 milionave amerikan të alokuara nga presidenti Biden për Kosovën.

“Kurti lëkundi miqësinë me Amerikën dhe thirrja për dorëheqje e kësaj qeverie dhe njësisht para dorëheqjes ta rikthejnë vendimin për gazin”, tha Haradinaj.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka përmendur marrëveshjen për targat. Ai tha se Serbia u tregua në BE si faktor i ruajtjes së paqes pa dhënë asnjë gjë.

“Serbia ka dal nga kjo situatë shumë mirë, sepse për një koncesion nëse herën e parë ka marr privilegje tjera, tash për të njëjtin koncesion të moçëm po merr koncesione të reja. Serbia u tregua në BE si faktor i ruajtjes së paqes pa dhënë asnjë gjë”, tha ai.

Berisha pyeti se a ka nevojë që Policia Speciale të merr leje nga KFOR-i për të shkuar në veri apo jo?.

“Tani mbas fitores a shkon policia speciale në veri sa herë që ka nevojë të zbatohet ligji dhe a ka operacione të tjera ma shpejtë”, shtoi Berisha.

Ndryshe, tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur edhe në kundërshtime tjera.

Refuzimi i gazit amerikan: Qeveria akuzohet se po rrezikon raportet me ShBA