Haradinaj: Kandidatit tonë po i ndalohet kandidimi për një gjobë trafiku të cilën e ka paguar

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se kandidati i tyre për deputet, Shemsedin Dreshaj, po tentohet të penalizohet dhe t’i ndalohet kandidimi për një gjobë trafiku në vlerë 18 euro, gjobë të cilën e ka paguar.

Haradinaj ka thënë se gjoba është paguar tre vjet e tre ditë më parë, duke paralajmëruar ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore.

“Një vendim i tillë është i çuditshëm! Aleanca do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për t’u ankuar kundër këtij vendimi.  Edhe pas kontakteve me kolegë të tjerë kandidatë, që po tentohet penalizmi i tyre, po shprehet habi se nuk janë në njohuri dhe nuk kanë qenë subjekt i ndonjë dënimi penal. Shpresoj që pas ankimimit do të përmirësohet ky gabim”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

KQZ pritet sot të bëjë të ditur emrat e 47 kandidatëve për deputetë që nuk janë certifikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës”.