Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Jam pro planit franko-gjerman, e përfshin rrugën drejt NATO-s

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova e ka konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se plani franko – gjerman e përfshin përkrahjen amerikane për partneritet për paqe dhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Haradinaj tha se ai dhe AAK janë pro planit franko – gjerman, si pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Kemi konfirmim direkt se menjëherë me këtë marrëveshje, kemi konfirmim nga SHBA-ja që do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Kjo është arsyeja se për mua, plani franko – gjerman është i pranueshëm, përkrahet nga unë dhe ka të bëjë me komponentët tonë kryesore, ecjen drejt NATO-s”- ka thënë Haradinaj.

Ai ka përmendur edhe disa elemente të cilat sipas tij janë të rëndësishme për Kosovën.

“Ka diçka që është shumë e rëndësishme, zhbllokohet anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kandidatura jonë drejt BE-së. Kur jemi tek OKB-ja, rruga jonë mund të jetë e vështirë, por mund të jetë më e avancuar nëse kemi nisur rrugën drejt NATO-s”- ka thënë tutje ai.

Sipas Haradinajt, në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova nuk duhet ta kthejë veten në palën humbëse.

“Në marrëveshjen me Serbinë, Kosova nuk duhet ta kthejë veten në palën humbëse dhe jo të vlerësohet si pala që s’ka kryer punë. Kjo është finalja, kjo është marrëveshja, s’do të ketë më marrëveshje. Nëse Serbisë i kërkohet njohja jonë, kur afrohet me u anëtarësua në OKB, e shqyrtojmë. Por të thuhet se ka edhe një marrëveshje këtu gabojmë. Kjo marrëveshje është ndarja finale me Serbinë”- ka thënë tutje ai.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 6 shkurt, pas drekës me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.