Haradinaj: Italia ka qenë afër Kosovës në procese jetike dhe shtetbërjen

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj në takimin me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini ka thënë se Italia ka qenë afër Kosovës në procese jetike si dhe në shtetbërje.

Këto deklarata Haradinaj i bëri deri sa priti në takim ministrin italian të Mbrojtjes.

“Si mike e Kosovës, Italia në vazhdimësi ka mbështetur perspektiven tonë të integrimit dhe ka qenë afër nesh në proceset jetike për konsolidimin dhe shtet bërjen e Kosovës”, është shprehur kryeministri në detyrë, Haradinaj, derisa njëkohësisht e ka njoftuar ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini për progresin por edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova, veçanërisht në sferën politike dhe për të arriturat në sferën e sigurisë në vend.

Haradinaj po ashtu ka theksuar se është më se i nevojshëm krijimi i institucioneve të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që proceset që kanë ngecur të ecin përpara.

“Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Lorenzo Guerini, ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Italisë, derisa ka shprehur gatishmërinë që këto raporte të zgjerohen edhe më shumë në të mirën e një partneriteti të mirëfilltë”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.