Haradinaj: Integrimi në strukturat euro-atlantike, emri i dytë i ekzistencës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar 9 majin, Ditën e Europës.

Haradinaj në Facebook ka shkruar se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova.

“Dita e Europës na e përkujton faktin se projektet e mëdha për paqe e bashkëpunim gjithnjë dalin triumfuese. Nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeave të BE-së se sa Kosova, e cila është pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike nuk është thjeshtë një ëndërr, por emri i dytë i ekzistencës së Kosovës.

“Kosova i ka përqafuar vlerat e përbashkëta europiane dhe vizioni i saj i palëkundur mbetet anëtarësimi në BE, si shtëpi e përbashkët. Integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike nuk është thjeshtë një ëndërr, por emri i dytë i ekzistencës sonë. Urime Europë!”, ka thënë më tej Haradinaj.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Europian. Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë.