Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj ia propozon qeverisë Kurti temat që duhet diskutuar me Malin e Zi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka propozuar Qeverisë se Kosovës disa tema që duhet t’i ketë në tavolinë në agjendën e bashkëpunimit me shtetin fqinjë Malin e Zi

Haradinaj ka kërkuar që tema për kufirin mes dy vendeve të jetë temë diskutimi, derisa ka ofruar bashkëpunim nga partia e tij.

“Qeveria duhet ta formoj komisionin shtetëror për shënjimin e kufirit. Ai komision nuk është funksional. Ky komision duhet me qenë funksional. Ju premtojmë që AAK do t’ju përkrah çoftë me ekspertizë, me ekspert apo punën që e bënë ky komision. E di se jam kritiku dhe është than se kemi fal e kemi marr tokë, por me procedurë ende nuk janë qit gurtë Kosovë – Mal i Zi”, tha ai.

Haradinaj tha se ky komision duhet të krijohet në mënyrë që të paraqes të gjeturat e raportit paraprak shtetëror që është votuar në këtë Kuvend.

“Veprimi i radhës ngritja e një trupe punuese të përbashkët Kosovë – Mali i Zi për shënimin e kufirit. Kur ndodh kjo trupë e përbashkët pala e Kosovës duhet t’i paraqet Malit të Zi të gjeturat e veta. Marrëveshja e nënshkruar, raporti i komisionit shtetëror që gjen gabime në marrëveshje dhe nën tre, deklarata e dy presidentëve për korrigjim në dy drejtime atë të Qakorrit dhe të Kullës. Nëse Mali i Zi nuk shpreh gatishmëri e dini çka pason kjo çështje duhet të kaloj në arbitrazh. Mali i Zi është mik por duhet të shkoj në arbitrazh”, tha Haradinaj.