Haradinaj ia kërkon dorëheqjen Sveçlës: Fyese dhe poshtëruese rrëmbimi i tre policëve të Kosovës 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur fyese dhe poshtëruese rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

“Ishte vërtet, ishte dhe është lajm i keq kidnapimi i 3 policëve të Kosovës nga organet e sigurisë së Serbisë. Ishte fyese dhe poshtëruese skena e kidnapimit të policisë sonë, e përdhosjes së institucioneve, të uniformës tonë. Me këtë rast kërkojmë që të lirohen policët menjëherë”-ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Me këtë rast ai i ka lutur bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për lirimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe që akte të këtilla të mos përsëriten më kurrë.

Njëkohësisht kreu i AAK-së e ka ftuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla që të japë dorëheqje sepse sipas siç tha Haradinaj, “sot është përdhosur uniforma, misioni i Policisë së Kosovës.”

“Ne e kemi kuptuar dhe e kuptojmë që Qeveria Kurti ka marrë mandat që ta udhëheq vendin drejt stabilitetit dhe forcimit të aleancës me aleancën euroatlantike, pra marrëdhëniet tona Kosovë dhe institucionet euroatlantike janë interes i vendit. Ky është mandati për këtë i kanë besuar njerëzit me udhëheq. Vërtetojmë se Kurti po shkon në drejtim të kundërt. Kurti nuk po e udhëheq Kosovën drejt stabilitetit dhe nuk po e avancon Kosovën në rrugën përpara me aleatët tonë euroatlantik”- tha kreu i AAK-së.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka bërë Kosovën palë të ndëshkuar nga vendet mike.

Haradinaj shtoi se fitore për Kosovën do të ishte arrestimi i kriminelëve serbë me përkrahjen dhe aleancën e vendeve mike të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, po pretendon se tre zyrtarët policorë që dyshohet se u kidnapuan nga policia serbe u gjetën në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.

Ai tha se pjesëtarët e policisë serbe nuk e kanë shkelur territorin e Kosovës dhe as rezolutën 1244.

Sipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Mirëpo, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka quajtur të rrejshme deklarimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq lidhur me këtë çështje.

“Ata janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale, pra është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeçar apo edhe mbi. Që kanë shërbyer për vite me radhë në Policisë e Kosovës”- ka thënë ai.

Kelani ka deklaruar se policët e kidnapuar janë të moshës rreth 50 vjeç apo mbi.

Kelani ka thënë se janë të bindur që pjesa ku janë gjendur policët është thellë brenda territorit të Kosovës.

“Është brenda në territorin e Kosovës dhe për të hetuar kemi dërgu njësitë tona, kemi njoftu mekanizmat ndërkombëtarë, KFOR-in që është përgjegjës për zonën kufitare, që të kryejmë detyrat bashkërisht. Është territor që mbulohet me zyrtarë policorë patrullës por sipas nevojës edhe me zyrtarë shtesë”- ka thënë ai.