Haradinaj i shoqëruar nga dhjetëra persona, nuk mbajnë maskë as distancë

Dhjetëra persona janë mbledhur sot në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë), duke shkelur kështu masat e vendosura nga institucionet për mbrojtje nga COVID-19.

Sipas masave të vendosura së fundmi nga Qeveria e Kosovës ndalohet tubimi i më shumë se 5 qytetarëve në ambiente publike.

Po ashtu, ndër masat që vazhdojnë të jenë në fuqi është edhe vendosja e maskave si dhe mbajtja e distancës.

E në Shqiponjë janë shkelur të gjitha këto masa.

Sipas një fotografie të publikuar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhjetëra persona janë bërë bashkë në një tubim të mbajtur në Shqiponjë.

Përveç numrit të madh të personave, ata nuk mbajnë pothuajse asnjëri maskën si dhe nuk e respektojnë distancën, duke qëndruar ngjitur njëri me tjetrin.

“Sot në Shqiponjë, Jabllanicën e luftërave të ashpra të luftëtarëve të shquar, me Jasharët, Lladrovcët dhe shumë familje të respektuara. Faleminderit dajë për mikpritjen”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 673 gjoba për qytetarët që nuk i kanë respektuar masat anti-COVID-19.

Po ashtu, në 24 orët e fundit janë regjistruar 501 raste të reja me COVID-19, kurse 13 të kanë vdekur.