Haradinaj i shkruan Kurtit për taksën dhe dialogun

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i është drejtuar edhe njëherë pasardhësit të tij Albin Kurtit lidhur me diskutimet për heqjen e taksës dhe vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Haradinaj sërish i ka bërë thirrje Kurtit të mos e heqë taksën, por të ofertojë për një kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Albin, ke ofertu heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e komprometuar. Mos e heq taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por oferto për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Sipas Haradinajt, Kosova i ka dakorduar tri të drejta “Asociacionin në bazë të Kushtetutës, të drejta të zgjeruara për komunitetin serb sipas orientimit të Planit të Ahtisarit, dhe status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe sipas Projektligjit për Liritë Fetare”.

“Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat”, thuhet në publikimin e tij.

Albin,Ke ofertu heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e komprometuar. Mos…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Mercredi 19 février 2020

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti sot ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari i ka bërë disa hapa të cilën e afrojnë heqjen e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Ministrja Rozeta Hajdari e cila ka bërë disa hapa të cilët na sjellin edhe më afër heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë. Rozeta tashmë ka marr vendim për të krijuar grupin punues me anëtarët nga Departamenti i Tregtisë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda e Afaristëve të Kosovës, Dogana, AVUK-u dhe Klubi i Prodhusve të Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Sipas Kurtit, ky grup do të përmbledh të gjitha barrierat tregtare me Serbinë dhe do të shkojë me rekomandim te Qeveria.

“Porsa të vijnë në zyrën time këto rekomandime do t’i analizojmë dhe do të marrim vendim për largim të tarifës dhe vendosje të reciprocitetit. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe do të veprojmë si të tillë”, u shpreh ai në Konventën e Prodhuesve të Kosovës.

Kurti edhe njëherë deklaroi se qeveria e tij, do ta zëvendësojë tarifën qind për qind dhe do ta zbatojnë reciprocitetin e plotë tregtar me Serbinë sikurse me secilin shtet.

“Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar, ne nuk jemi për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Parimet e reciprocitetin që do të nxirren nga qeveria e Kosovës do të jenë të bazuara në parimet e Orgabizatës Botërore të Tregtisë dhe në CEFTA”, u shpreh kreu i qeverisë.

Qeveria e kaluar e vendit, në nëntor të vitit 2018 i ka vendosur taksë 100 për qind produkteve serbe dhe boshnjake.