Haradinaj i reagon Presidentes: Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur Vjosa Osmanin “presidente koti”, duke thënë se në ‘çdo ndyrësirë së Kryeministrit Albin Kurti, ajo është në mes të saj’.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj” – ka shkruar Haradinaj duke iu referuar intervistës së Osmanit në #KallxoPërnime.
Në këtë intervistë, Osmani ia ka hedhur “fajin” Qeverisë për mosdiskutim e moskoordinim për çështje të caktuara, si për letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin e draft-statutit për Asociacionin.
Ajo po ashtu tha se nuk e kanë diskutuar me Kurtin ofertën e Gjermanisë që të gjendet një mundësi që Kosova të largojë masat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.
Ramush Haradinaj në postimin e tij në Facebook, akuzoi Kryeministrin Kurti për politike anti-amerikane.
“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare” – ka shkruar Haradinaj.
Ai shtoi se Europa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor dhe se ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese.
“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Europa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale” – ka shtuar ai.
Presidentja Osmani në këtë intervistë ka folur edhe për raportin me Kryeministrin Kurti duke thënë se ata bashkëpunojnë si institucione dhe se ndonëse kanë qasje të ndryshme, kanë synim të njëjtë për një Kosovë sovrane dhe të integruar.
Krisja në raportin Kurti – Osmani është diskutuar jo rrallëherë vitin e fundit. Një gjë e tillë u diskutua pas mungesës së Kurtit në takimin e thirrur më 31.07.2024 nga presidentja Osmani për t’u konsultuar lidhur me datën e zgjedhjeve parlamentare.
Osmani tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së tij.