Haradinaj: I qëndroj prapa emërimeve në AKI

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka folur edhe për emërimin e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, kanë njoftuar për emërimin e Kreshnik Gashit në pozitën e drejtorit të AKI-së dhe Burim Ramadanit, Inspektor i Përgjithshëm në të njëjtin institucion.

Në lidhje më këto emërime, Haradinaj ka thënë se është i vetëdijshëm për vendimin që ka marrë.

“I kam ushtruar funksionet e mija në bazë të vetëdijes dhe kompetencave që kam, jam i vetëdijshëm qe  e kam marr këtë vendim me vetëdije të plotë dhe i qëndroj prapa”, ka thënë Haradinaj.

Kur Haradinaj është pyetur se pse ka zgjedhur Burim Ramadanin si kryeinspektor, ai ka thënë se nuk do të mund të gjente ndonjë të mirë.

“Jam shumë i gëzuar qe është Burimi për shkak të aftësisë së tij profesionale. Është më i mirë që kam mundur ta gjej, nuk shërben si partiak por si profesionist.”, ka thënë Haradinaj.

Kreshnik Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare.

Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi, ai ka qenë Zëvendësministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Më 6 nëntor të këtij muaji, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga posti i drejtorit të AKI-së pa dhënë ndonjë arsye.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik të këtij viti, përderisa nga zgjedhjet e 6 tetorit nga të cilat më së shumti mori vota Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk janë certifikuar rezultatet, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Shoqëria civile në vazhdimësi ka kërkuar nga qeveria në detyrë t’i përmbahet vendimeve madhore për shkak të kompetencave të kufizuara.