Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës: Kam qenë komandant i Brigadës "Jusuf Gërvalla"

Daut Haradinaj iu është përgjigjur Donika Gërvallës, e cila mbrëmë në “Kallxo Pernime” tha se ka biseduar personalisht me Albin Kurtin dhe kërkesa e saj ka qenë që në të ardhmen të mos bëhet koalicion me “partitë e krimit”, duke i përmendur AAK-në dhe PDK-në.

Në intervistën e sotme në “Kallxo Pernime”, Daut Haradinaj tha se Donika Gërvalla qenka koritë me të, por sipas tij “s’ka dert”.

Daut Hardinaj tha se ka qenë komandant i Brigadës “Jusuf Gërvalla” ku i ka 272 dëshmorë që kanë vdekur nën flamurin e Jusuf Gërvallës.

“Unë kam shumë respekt për familjen e saj. Kam qenë komandant i brigadës që e ka mbajtur emrin e babait të saj, Jusuf Gërvallës dhe i kam 272 dëshmorë nën flamurin e Jusuf Gërvallës. Mendoj që Beogradi më konsideron kriminel, por zonja Gërvalla ka gabuar. Është koritur me mua, por s’ka dert. Nëse ka ndonjë provë që unë kam bërë krim, mos të humbë kohë le të shkon te institucionet përgjegjëse”, tha Haradinaj.