Ramush Haradinaj

Haradinaj i kërkon qeverisë të publikojë të gjitha shpenzimet për energjinë e blerë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të publikojë të gjitha shpenzimet që janë bërë në sektorin energjetik nga 1 tetori i vitit 2021.

“Me këtë nuk nënkuptojmë vetëm ndarjet buxhetore, por tërë energjinë që është blerë nga KESCO/KOSTT (vlera e devijimeve) apo çfarëdo mekanizmi që ka blerë rrymë për Kosovë, si dhe të gjitha kontratat që janë bërë për kthime”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, është me rëndësi të publikohen emrat e kompanive prej të cilave është blerë energjia dhe mënyra si janë bërë kontratat.

“Po ashtu është me rëndësi të posaçme të publikohen emrat e kompanive nga të cilat është blerë rryma dhe metodologjia e kontraktimeve. E pakuptueshme mjegulla që kjo qeveri po krijon në raport me rrymën elektrike dhe transaksionet financiare rreth saj”, shtoi tutje Haradinaj.

I pari i AAK-së theksoi se qytetarit të Kosovës nuk i interesojnë bojlerët e lopatat, por duan llogaridhënie.

“E qartë që me bojlerët, filterat dhe lopatat le të merren ata që duan, por qytetarit të Kosovës kjo nuk i intereson. Duam llogaridhënie për paranë publike”, është shprehur Haradinaj.