Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: I dimë kush janë blerësit e rinj në Butovc të Prishtinës, po ndërtohen lagje super moderne

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka thënë se dihet se kush janë ndërtuesit e shtëpive moderne në Butovc të Prishtinës.

Ai shtoi se ndërtimet në atë pjesë po e dëmtojnë natyrën.

“Sa i përket Butovcit, duhet të jemi të qartë, aty institucionet komunale kanë intervenuar dhe i kanë rrënuar shtëpitë dhe vendbanimet qindra vjeçare dhe dihet fare mirë dhe kemi edhe fletët poseduese se kush janë blerësit e ri të pronave, ndërsa disa qindra metra ndërtohen lagje super moderne të cilat e dëmtojnë komplet atë natyrën, e cila nëse diçka e mirë ka mbetur nga Jugosllavia ka qenë pikërisht Gërmia”, tha Haradinaj.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.