Ramush Haradinaj e Behgjet Pacolli

Haradinaj i del në mbrojtje Behgjet Pacollit

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka dalë në mbrojtje deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacollit lidhur me diskutimet për kthimin e tij në Kosovë, pa iu nënshtruar masave të karantinimit.

“Gjithmonë kam qenë kundër trajtimit të padinjitetshëm të kujtdoqoftë, duke mos përjashtuar këtu edhe trajtimin, potencialisht të keq të aktivistëve të VV-së dikur. Pa ndryshu asnjë shkronjë, sot e kundërshtoj fuqishëm trajtimin e padinjitetshëm të një të zgjedhuri të popullit, siç është deputeti Behgjet Pacolli. Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit është i pacënueshëm dhe i pandikueshëm nga agjendat politike!”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”.

Ditë më parë, Pacollit nuk iu lejua që të aterojë në aeroportin e Prishtinës më aeroplanin privat, pasi që sipas Qeverisë, ai njëjtë sikurse qytetarë të tjerë duhet të karantinohen për 14 ditë në Qendrën e Studenteve, gjë e cila u kundërshtua fuqishëm nga ana e liderit të AKR-së.

Kthimi i Pacollit po ndodhë në kohën kur LDK bashkë më AAK-në, NISMA dhe komunitetet janë në prag të formimit të koalicionit për qeverinë e re, e që më partinë e Behgjet Pacollit nuk kanë arritur ende të bisedojnë pasi që nuk është i pranishëm në Kosovë.

Ndërkaq, i propozuari për kryeministër të ardhshëm, Avdullah Hoti më 28 prill ka deklaruar se pjesë e qeverisë do të jetë edhe AKR-ja.

Pacolli sot deklaroi se po qëndron në Thumanë të Shqipërisë, përderisa në media ditë më parë është raportuar për ni vizitë misterioze të presidentit Thaçi në shtetin shqiptar.