Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Heqja e tarifës 100% nga Kurti, leje për ripushtimin ekonomik serb të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se sonte pritet të merret vendimi për heqjen e tarifës 100 ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Haradinaj ka thënë se vendimi i Qeverisë në krye me të kishte paraparë edhe vendosjen e masës se reciprocitetit ndaj Serbisë, e që sipas tij këtë masë, Kurti po e shet të populli “si shpikje politike” të tij.

Sipas Haradinajt, ky nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë.

Kurti përmes një konference për media njoftoi të martën se sonte Qeveria do të marrë vendim që ta largojë tarifën 100 për qind ndaj Serbisë dhe do ta zëvendësojë më reciprocitet. Kjo masë ishte vendosur nga Qeveria Haradinaj në vitin 2018.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt në rrjetin social “Facebook”.

Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendosë taksën 100% në pikën 1, dhe poashtu vendosë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6 – të cilat sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si “shpikje politike” e tij. Në fakt, vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë!

Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.

Harresa e tij kombëtare dhe shkurtpamësia e tij shtetërore ia përcaktoi edhe jetëgjatësinë e tij politike. Do ta mbajmë në mend përherë si kryeministër që ia çeli derën Serbisë së udhëhequr nga ish-ministri i Millosheviqit, pa nder, dhe pa kundërvlerë.