Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj hap front të ri me PDK-në: Çka po ju pengon ‘Fondi i Ushtrisë’?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha lidhur me Fondin e Sigurisë së Kosovës.

Berisha ka thënë se nuk është e sigurtë prejardhja e mjeteve dhe se ushtria duhet të financohet nga buxheti i shtetit. Ai ka shtuar se ky fond sipas tij është ilegal.

Haradinaj në reagimin e tij në Facebook ka thënë se nuk po e kupton se përse PDK është kundër fondit të ushtrisë.

“Çka janë çu peshë disa eksponentë të PDK kundër Fondit të Ushtrisë. S’po e kuptoj ku e kanë hallin. A po iu pengon forcimi i ushtrisë, a po iu dhimbsen qytetarët që janë të gatshëm ta ndihmojnë ushtrinë e tyre, apo e kan problemin me Albin Kurtin?”, ka shkruar Haradinaj.

“Nëse është kjo e fundit, ka hapësirë boll për ta sulmuar Albin Kurtin, të cilit edhe ashtu i “ka hup rruga n’oborr”, ka shtuar Haradinaj.

Tutje, ai ka theksuar se të ndihmosh ushtrinë e vendit është detyrë patriotike.

“Pa ushtri s’ka shtet dhe ta ndihmosh ushtrinë e vendit tënd është detyrë patriotike dhe shqiptarët e dijnë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ditë më parë, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu kishte deklaruar se fondi për ushtrinë duhet të bëhet me ligj që merr mbështetje në Kuvendin e Kosovës duke shtuar se ushtria “nuk guxon të lihet në mëshirën se kush po dhuron dhe sa po dhuron, nuk bëhet ushtria me lëmoshë”.

Në mars të këtj viti, Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se është marrë vendim për themelimin e Fondit të Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri ka thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka ftuar qytetarët, bashkatdhetarët në diasporë dhe donatorët për të kontribuar në sigurinë shtetërore.