Haradinaj ftoi zyrtarin e lartë amerikan të vizitojë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Tiranë u takua edhe me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve Pete Marocco.

“E njoftova Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për progresin e arritur në Kosovë, specifikisht në fushën e sundimit të ligjit, parandalimin e radikalizmit ekstrem, rritjen e qëndrueshme ekonomike prej 4.4% dhe për arritjen e mbajtjes së borxhit publik të ultë. Gjithashtu theksova nevojën për aspiratën dhe përkushtimin e Kosovës dhe popullit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike NATO”, tha Haradinaj përmes një shkrimi të publikuar në “Facebook”.

I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tregoi se e ka ftuar Maroccon që të vizitojë Kosovën.

“E ftova Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco që të vizitojë Kosovën dhe të njoftohet nga afër me punën dhe përpjekjet tona, dhe e falënderova në emër të popullit të Kosovës për ndihmën e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë në vazhdimësi Kosovës”, tha tutje Haradinaj.

Sipas Haradinajt, Marocco përgëzoi Kosovën për të gjitha arritjet e saja për një dekadë të shtetësisë dhe siguroi se vëmendja amerikane do të vazhdojë të jetë e fokusuar rreth Ballkanit dhe Kosovës.

Lutjet e Mëngjesit sot u mbajtën në kryeqytetin shqiptar, ku të ftuar ishin kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj. Ky aktivitet është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në të cilin morën pjesë kryetarë të parlamenteve nga vendet e rajonit dhe të ftuar të tjerë të shumtë.