Haradinaj flet për skandalin e votave në AAK

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ftuar në ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini ka folur në lidhje me skandalin e votave në partinë e tij dhe ndërlidhja e këtij skandali me ish-kryediplomaten, Meliza Haradinaj-Stubllën.

Ai ka thënë se AAK-ja si parti dhe njerëzit e partisë i kanë dhënë besimin Meliza Haradinaj-Stubllës për të qenë kryediplomate.

Haradinaj deklaroi se edhe se ish-ministrja ka dhënë dorëheqje, sipas tij, nuk ka qenë e involvuar në manipulim të votave.

“Edhe pse Meliza ka dhënë dorëheqje, nuk mendoj se është e involvuar në manipulim të votave. Komisionerët apo kushdo qofshin duhet me shku në burg. Këto unë i mirëpres kushdo që ka pasur guximin që më i qit në shesh këto manipulime, por për fat të keq ndodhin këto. Unë kam kërkuar rinumërim total të votave, për të gjitha partitë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka bërë të ditur se nuk është takuar me Meliza Haradinaj-Stubllën pas publikimit të skandalit, ndërsa ka thënë se ish-ministrja duhet të distancohet.

“Unë nuk e kam pritë (reagimin e Meliza Haradinaj). Nuk e kam taku,  as nuk ka kërku takim, më ka shkru por nuk ka ardhë me bisedu. Këshilla ime është që ajo të distancohet dhe të kërkojë falje publikut që po i lakohet emri”, ka deklaruar Haradinaj.