Haradinaj flet për mundësinë e koalicionit me LVV-në

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj  nuk e ka përjashtuar mundësinë që të arrijë një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se edhepse nuk kanë koalicione parazgjedhore, ai nuk paragjykon situatën pas zgjedhjeve.

“Aleanca ka koalicion me qytetarin, programi do të marrë besimin e qytetarëve, ndërsa pas zgjedhjeve nuk paragjykojmë mundësinë e koalicioneve”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tutje ka thënë se në këto zgjedhje ofertojnë për postin e Presidentit.

“Në këto zgjedhje votojnë për qeverinë, kryeministrin por edhe Presidentin, për shkak që deputetët do ta kenë për detyrë me zgjedhë edhe Presidentin, pra ka të bëjë me një pako institucionale. Është risi kësaj here, ne kemi ushtrues detyre të Presidentit dhe kësaj herë zgjedhim edhe Presidentin, ne ofertojmë për Presidentin dhe qeverisjen në këtë rast”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj tutje ka dhënë detaje se çfarë përfshinë programi i AAK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kemi përfunduar programin e partisë që është program i jashtëzakonshëm, në program kemi fondin e rimëkëmbjes prej 1 miliard eurove. Sot jemi në proces të përmbylljes së listës së kandidatëve për deputet të Kosovës. Sot kam edhe një arsye më shumë me dal para jush, është mërgata jonë, e kam ngrënë vet bukën e mërgimit, i kuptoi mërgatën dhe dua të them që jo vetëm në kohë zgjedhjesh ne jemi një, nuk jemi të ndarë”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë ka folur edhe zyrtarja e lartë e AAK-së dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, duke thënë se Kosova ka nevojë për një President të fortë më shumë se kurrë, e sipas saj i denjë është Ramush Haradinaj.

“Kosova ka nevojë për një president të forte më shumë se kurrë. Diaspora e njeh shumë mirë situatën në Kosovë ata e dinë që na duhet një president i qëndrueshëm, Kosova nuk ka kandidat për president më të denjët sesa kryetari Haradinaj. Edhe si ministre e punëve të jashtme e konfirmoj nevojë për një president aktiv dhe të përgatitur”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa anëtarja e AAK-së, Time Kadrijaj ka ftuar diasporën që të votojnë në zgjedhjet të cilët do të mbahen me 14 shkurt.

“Asnjëherë nuk është e tepërt që t’i falënderojmë të gjithë diasporën për atë që kanë bërë për Kosovën në të gjitha periudhat Kohore, me qenë se gjendemi në proces zgjedhor i ftojmë ata që të votojnë”, ka thënë Kadrijaj.

Me 6 janar, Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt 2021.

Presidentja shpërndan Kuvendin, zgjedhjet e reja caktohen për më 14 shkurt