Haradinaj flet për momentin e arrestimit nga EULEX-i

Ka vazhduar dëshmia e Nasim Haradinajt edhe sot para trupit gjykues të Gjykatës Speciale.

Kjo është dita e dytë e dëshmisë së të akuzuarit Nasim Haradinaj, dhe dëshmia e tij do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë, i akuzuari nga Gjykata Speciale Nasim Haradinaj është marrë në pyetje nga ana e avokatit Kadman.

Haradinaj ka thënë së në momentin kur është larguar nga Zyret e OVL-së në ditën kur shumë qytetarë kishin protestuar para zyreve të OVL-së ka shkuar në një media për një intervistë të cilën e kishte planifikuar më herët.

“Gjatë kohës kur kam shkuar për intervistë e kam parë një veturë të EULEX-it që ka qenë pranë taksit kur unë kam qenë, e mendova që jam duke u përcjellur”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar edhe momentin kur Policia e Eulex-it e ka ndaluar edhe i ka thënë që duhet arrestuar.

“Në momentin kur Policia e EULEX-it më kanë thënë që jeni i arrestuar unë kam kërkuar edhe prezencën e Policisë së Kosovës, kanë kërkuar me hy në veturën e EULEX-it por që unë nuk pranuar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se në zyret e EULEX-it nuk ka qëndruar shumë gjatë.

“Unë atë ditë nuk jam larguar nga Kosova, të nesërmen jam transferuar në Hagë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë përsëri se nuk beson që ka kryer ndonjë krim.

“Unë nuk e ndjejë vetën që kam kryer ndonjë krim, unë gjatë jetës sime asnjëherë nuk kam kërcënuar ndonjë person”, ka thënë Haradinaj.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.