Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj flet për largimet e fundit nga AAK-ja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk u gëzohen largimeve që kohët e fundit kanë ndodhur në partinë e tij.

“Ne nuk i mirëpresim largimet e disa kolegëve, nuk u gëzohemi lajmeve për largimin e kolegëve, cilitdo. Ka njerëz të ri që po vijnë në Aleancë, ka kuadro të reja”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Haradinaj shtoi se zgjedhjet në AAK i kanë shtyrë vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

 

“Vitin e ardhshëm, në pranverë jemi në zgjedhje të rregullta në Aleancë. Njëkohësisht jemi në punë e sipër në një lloj analizë të brendshme të krejt zhvillimeve brenda Aleancës. Do të shpallim zgjedhjet në disa degë tona, duke respektuar masat kundër pandemisë”, u shpreh ai.

Haradinaj nuk tregoi nëse do të jetë kandidat për kryetar të AAK-së.

“Do ta diskutoj në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai.

Kohët e fundit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po përballet me largim të zyrtarëve të saj.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, nga të cilat AAK-ja u rendit e katërta, duke siguruar vetëm tetë mandate, nga partia e Ramush Haradinajt u larguan Meliza Haradinaj-Stublla, Rasim Selmanaj duke dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e AAK-së, si dhe së fundi u largua edhe Xhafer Gashi.